Lajme

Arrestohen tre të dyshuar për keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar

Pranga nga Policia,

Policia e Kosovës, më saktësisht hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK)  Mitrovicë Jug, kanë arritur që të arrestojnë tre persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Kjo ka ndodhur pas hetimeve disa mujore të zhvilluara, duke aplikuar edhe masat e fshehta të hetimit sipas urdhëresës se Gjykatës Themelore të Mitrovicës në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit dhe të asistuar nga Inspektoret e Shëndetësisë të Ministrisë së Shëndetësisë, sot më 15.06.2022, kanë inspektuar laboratorin e analizave në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri. 

“Gjatë inspektimit janë konfiskuar libra të protokollit dhe raporte mjekësore për të cilat dyshohet se laboranti V.T., (viti i lindjes 1959, mashkull kosovar) në bashkë-kryerje me kryeteknikun e këtij laboratori S.B., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar)  kanë shënuar vlera pa i ekzaminuar fare sipas procedurës mjekësore (centrifugim dhe ekzaminim mikroskopik) dhe duke i paraqitur ashtu si kanë dashur në raportet mjekësore të pacienteve, duke filluar nga data 01.04.2022 e deri me datën 31.05.2022” thuhet në njoftimin nga Policia e Kosovës

Sipas njoftimit personat e dyshuar të arrestuar janë: B.B., shef i Laboratorit në QMF 1 në Vushtrri, S.B., Kryeteknik  i Laboratorit në QMF 1 në Vushtrri dhe V.T. Laborant i Laboratorit në QMF 1 në Vushtrri

Tre të dyshuarit, janë shoqëruar për tu intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës dhe në konsultë me Prokurorin kompetent të rastit të PTH-së në  Mitrovicë, të lartë cekurve ju caktohet masa e  ndalimit  për 48 orë. /Shqip.com