Lajme

Arrestohen katër punonjës të Bashkisë së Pogradecit, dyshohet se vodhen pakot e ndihmave

Është finalizuar operacioni policor i koduar “Pakoja e fundit”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes në Shqipëri.

Siç ka raportuar ABC News, thuhet se katër punonjës të Bashkisë së Pogradecit janë arrestuar nga Policia e Shtetit pasi dyshohet se kanë vjedhur pako me ndihma të dhuruara nga qytetarët.

Sipas Policisë së Shtetit të Shqipërisë thuhet se hetimi ka nisur nga një video e cila ishte publikuar në rrjete sociale në të cilën shiheshin personat e dyshuar duke e kryer veprën penale.

Sekuestrohen pakot e vjedhura dhe automjeti me të cilin do të transportoheshin.

Ndërsa, nga provat e grumbulluara dhe nga hetimet e mëtejshme të kryera, u bë i mundur dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje. Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Reshit Fraholli, 58 vjeç, Raif Muçka 58 vjeç, Bektash Xhudellari, 35 vjeç, Marsel Muçllari, 35 vjeç.

Këta shtetas, me detyrë punonjës pranë bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e pallatit të sportit, në qytetin e Pogradecit, vodhën disa pako me ndihma, të dhuruara nga donatorë të huaj, për komunitetin e kësaj bashkie.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pakot me sendet e vjedhura dhe një automjet tip “Audi”, me të cilin do të transportoheshin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim./Shqip.com

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë tekst cilësohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga ana e gjykatës.