Lajme

Arrestohen katër persona në Prishtinë, cilësohen si grup i rrezikshëm kriminal

Policia e Kosovës, Ilustrim
Policia e Kosovës, Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona si të dyshuar për krim të organizuar dhe të cilët janë përfshirë në disa vepra penale.

Sipas njoftimit të policisë, personat e dyshuar cilësohen si grup i rrezikshëm kriminal.

“Gjatë realizimit të këtij operacioni policor, i cili ka rrjedhur pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit nga Prokurori i Shtetit, të dyshuarit në mënyrë të organizuar si grup i rrezikshëm kriminal, dyshohet se kanë kryer vepra penale si: “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “lëndim i rëndë trupor”, “zjarrvënie”, “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, duke u paguar kështu për këto shërbime, me qëllim të frikësimit dhe lëndimit të viktimave, ku deri më tani janë identifikuar disa viktima të cilat dyshohet se janë përcjellë për një kohë të caktuar nga ky grup kriminal. Viktimat janë të profileve të ndryshme, ku disa nga viktimat e identifikuara kanë qenë direkt të sulmuar, të cilët edhe kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia ka dhënë edhe disa informacione për të arrestuarit.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, arrestimi i personave të dyshuar është bërë në mbështetje të Njësisë Speciale Intervistuese dhe Njësisë së Reagimit të Shpejtë. Të dyshuarit e arrestuar janë:  D. S. viti i lindjes 1980 m/kosovar,  Xh. M. viti i lindjes 1979 m/Kosovar, H. H. viti i lindjes 1960 m/Kosovar, T. Sh. viti i lindjes 1973 m/Kosovar”.

Por, nga kontrollet dhe bastisjet e kryera në pronat  dhe shtëpitë e banimit të të dyshuarve, janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova materiale.

“Gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në prona/shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: dy armë të gjata, katër armë të shkurtra, 43 fishekë, pesë mijë (5,000,00) euro, dy automjete, 4 telefona, mjete të forta”.

Tutje thuhet se me vendim të prokurorit kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, katër të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.

/Shqip.com