Lajme

Arrestohen dy persona në Vushtrri, u gjenden substanca narkotike dhe sasi të municionit

Fotografi nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Vushtrri, pas kontrollimit të njëri janë gjetur substanca nartokitike ndërsa të tjetri sasi municioni prej 10 fishekësh.

Policia e Kosovës ka filluar hetimet pasi që kishte pranuar informata se persona të dyshuar ishin duke shpërndarë substanca narkotike më një lokal në Vushtrri.

“Hetuesit policor kanë kërkuar nga një person dokumentet e identifikimit mirëpo i njëjti ka filluar të ikë nga policia, mirëpo është arritur që pas pak kohe personi të arrestohet në sheshin e qytetit nga ana e zyrtarëve policor. Pas kontrollimit, tek ai është gjetur një cigare që dyshohet të jetë substancë narkotike, një mulli për bluarjen e substancave narkotike, dy qese të vogla që dyshohej se brenda kishin substanca narkotike si dhe disa fletëza për mbështjelljen e substancave narkotike”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtin lokacion, gjatë kontrollit të një personi tjetër, PK ka gjetur në xhepin e tij një sasi municioni prej dhjetë(10) fishekësh të kalibrit 7.62 mm që dyshohet se i përkasin armës AK-47. Policia ka arrestuar personin dhe ka realizuar kontroll edhe në vendbanimin e tij.

“Personat e dyshuar E.S., 23 vjeçar dhe Sh.P-21 vjeçar janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve. Në lidhje me këto raste është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka udhëzuar që personat të lirohen në procedurë të rregullt ndërsa ndaj tyre të iniciohen rastet për dyshimin e kryerjes së veprave penale”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndaj personit të parë është iniciuar rasti “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” ndërsa ndaj personit të dytë është iniciuar rasti “Mbajtje ne pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./Shqip.com