Lajme

Arrestohen dy persona në Prishtinë, dyshohet se kanë mashtruar me bileta udhëtimi fiktive

Policia e Kosovë, në koordinim me Administratën Tatimore të Kosovës, dhe nën udhëheqjen e prokurorit të shtetit ka arrestuar dy persona të cilët dyshohen për mashtrim.

Përmes një njoftimi nga Prokuroria në Prishtinë, organet kompetente kanë realizuar aksion në Podujevë dhe Prishtinë dhe kanë dërguar në mbajtje bashkëpronaret e një kompanie turistike.

“Sot është realizuar një aksion në Prishtinë dhe Podujevë, me ç’ rast janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje të dyshuarit M.K. dhe A.B., bashkëpronar të Agjencionit Turistik “Prishtina Jet”, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, të paraparë sipas KPRK-së dhe nga kjo bastisje e realizuar janë gjetur e sekuestruar prova të cilat do të shërbejnë në procedurën penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Personat në fjalë, dyshohet se ju kanë shitur bileta të rreme udhëtime më çmime me të ulëta se çmimi aktual për udhëtime në aeroplan.

“Personat e lartcekur dyshohen se, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, pra përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet”, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi aktual”.

Fluturimet nuk janë realizuar si dhe ju është shkaktuar viktimave keqtrajtim psiqik.

“Fluturimet nuk janë realizuar edhe përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit, çka me këtë të dëmtuarve përpos dëmeve financiare u kanë shkaktuar edhe keqtrajtime psiqike, duke u maltretuar me familjarët e tyre nëpër aeroporte të ndryshme për realizimin e fluturimeve të premtuara rrejshëm nga të pandehurit.

Të dyshuarit për mashtrim janë dërguar në mbajtje për 48 orë derisa ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore, si dhe, veprime hetimore ndaj rastit në fjalë, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështje penale./shqip.com

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë tekst, cilësohen të pafajshëm deri në një vendim të gjykatës.