Lajme

Arrestohen babë e bir në veri – dyshohen për disa vepra penale

Policia e Kosovës / Foto: Visar Loku

Një person me inicialet J.A bashkë me të birin e tij M.A janë arrestuar të shtunën në Veri të Mitrovicës pasi dyshohen për disa vepra penale.

Policia njofton se fillimisht kishte pranuar informacion se dyshohet për substanca narkotike dhe armë në një fshat në Komunën e Zveçanit.

Fillimisht policia ka ndaluar veturën të dyshuarit J.A., në të cilën gjatë kontrollit nën ulësen e vozitësit janë gjetur një sasi e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë 453 gramë.

Po ashtu bëhet e ditur se është kryer edhe kontrollimi i shtëpisë së të dyshuarit (J. A.), ku gjatë kontrollit në dhomën e të birit të tij (M.A.), si dhe në shtëpi janë sekuestruar disa dëshmi.

“Një pistoletë Berata, një karikator, katër fishekë të kalibrit 7.62 mm, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë 2.71 gram, qese të vogla të zbrazëta që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike, një sim kartel, dokument zyrtar i cili dyshohet se është i falsifikuar, dokument i sindikatës se policisë së Serbisë me fotografi të dyshuarit M. A. disa fleta që dyshohet se ka shënime që lidhen me shitjen e substancave narkotike, veturë Opel Zafira, dhe substancë e dyshuar narkotike për kokainë, me peshë (453) Gr”, thuhet në njoftim.

 Ndaj dy personave të dyshuar janë iniciuar rastet – Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope ose analoge, Mbajtje në pronësi posedimi i pa autorizuar i armës dhe Falsifikim i Dokumentit.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka udhëzuar që personave të dyshuar pas intervistimit të ju caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh./SHQIP.com