Arrestohen 5 persona, dyshohen për shtytje në kryerjen e veprës terroriste
Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për shtytje në kryerjen e veprës terroriste dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të policisë, drejtoria Kundër Terrorizmit, në koordinim me Prokurorinë Speciale, pas hetimeve disamujore, të hënën ka ndërmarrë operacion policor në gjashtë lokacione, në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, për zbatimin e urdhëresës për kontroll, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.
“Si rezultat i këtij operacioni, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘shtytje në kryerjen e veprës terroriste, sipas nenit 134 të KPRK-së’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas nenit 366 të KPRK-së, janë arrestuar pesë persona të dyshuar (L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S.), ndaj të cilëve janë duke vijuar procedurat ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim thuhet se të dyshuarit e lartpërmendur janë të njohur për Policinë e Kosovës, si të dyshuar për përfshirje të mëparshme të tyre në disa vepra të tjera penale në rajonin e Pejës.
Në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar tri revole, një armë automatike AK-47, një armë rekreative pneumatike, pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve.
/Shqip.com