Lajme

Arrestohen 3 persona në Obiliq, iu gjetën drogë, para dhe armë

Tre persona janë arrestuar gjatë një operacioni policor që u zhvillua në fshatin Mazgit dhe në qytetin e Obiliqit.

Ata dyshohen se kanë trafikuar lëndë narkotike.

“Te një pikë-karburantesh është arritur të arrestohet i dyshuari: V.D., (viti i lindjes 1995, mashkull kosovar), kurse në Obiliq janë arrestuar edhe E.A., (viti i lindjes 2001, mashkull kosovar) dhe D.K., (viti i lindjes 2000, mashkull kosovar)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Organet e rendit kanë gjetur dhe konfiskuar drogë të llojit kokainë, marihuanë, para, armë etj.

Vlera e narkotikëve sipas njoftimit të policisë llogaritet të jetë afërsisht 3 mijë e 600 euro.

“Dhjetë paketime, dyshohet të jetë marihuanë me peshe të përgjithshme 672.1 gr., dy paketime dyshohet të jetë kokainë me peshë prej 0.6 gr., dy peshore digjitale, një armë (revole), para të gatshme 1940 euro, një fletore me shënime, si dhe katër telefona celular”, njoftojnë policia.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori, është iniciuar rasti ndaj tre të dyshuarve dhe me aktvendim nga prokurori, tre të dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.

/Shqip.com