Arrestimi i kameramanit: Suspendohen dy policë, pesë të tjerë në procedurë të brendshme disiplinore

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Rajonale e Prizrenit, ka suspenduar këtë të enjte përkohësisht dy zyrtarë policorë lidhur me rastin e arrestimit të kameramanit, Albion Selitaj.
Policia po ashtu ka iniciuar procedura të brendshme disiplinore ndaj pesë zyrtarëve të tjerë policorë.
“Suspendimi i tyre është mbështetur në udhëzimin administrativ të PK-së për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, me qëllim të hetimit dhe sqarimit të veprimeve dhe sjelljeve të tyre në këtë rast. Lidhur me këtë rast është njoftuar Drejtoria e Standardeve Profesionale e PK-se dhe Inspektorati Policor (IPK)”.
“Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet në komunikatën për media.
Albion Selitaj, kameraman i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, u arrestua të enjten derisa ishte duke mbuluar ngjarjen nga ndërhyrja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për të marrë në menaxhim zyrat e ndërrmarrjes “AgroKosova Holding”.
Sipas raportimit të EO-së, arrestimi ka ndodhur pasi kameramani ka kërkuar nga policia të mos e shtyjnë sepse rrezikohen edhe pajisjet e punës./SHQIP.com