Lajme

Arrestimi i Evis Berberit/ Emërohet drejtori i ri i ARRSH

Pas arrestimit të Evis Berberit, qeveria ka emëruar në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentain Gjylin, i cili mbante postin e zv/drejtorit.

Gjyli, që kur është arrestuar Berberi ka mbajtur kompetencat e drejtorit dhe ka drejtuar institucionin.

Beberi akuzohet nga SPAK se ka dhënë 6 tenderë kompanisë së ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë “DAAM ShPK”, që ai zotëronte në mënyrë indirekte, gjatë kohës që drejtonte ARRSH-në.

Gjatë kontrollit të banesës së Evis Berberit e bërë më 20 shkurt të vitit 2024 janë gjetur edhe sekuestruar shuma të konsiderueshme si 15, 675 euro, 3,075 paund dhe 1,436,000 lekë.

Skema që zbardhi SPAK

Sipas SPAK-ut, është e vërtetuar se Evis Berberi së fundmi në rolin e drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe më herët në atë të drejtorit të Eficencës së Energjisë; miku i tij biznesmeni Valter Begaj dhe Ervis Lami, administrator i shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k., si dhe punonjës i shoqërisë ‘Net Group’, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me qëllim përfitimin e të ardhurave të paligjshme.

Konkretisht, sipas SPAK-ut, Evis Berberi duke qenë në pozicione të tilla drejtuese, ka marrë nga shoqëria ‘Net Group’, që është përfituesja e prokurimeve publike gjatë kohës që ai ishte në krye të autoritetit kontraktor, përfitime të parregullta monetare të fituara në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “DAAM’ sh.p.k., të kontrolluar prej tij. “Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë ‘Net Group’ sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim Valter Begaj, prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi.

Shtetas të cilit më pas i kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt po të tij, të njohur si ‘DAAM’ sh.p.k”, – thuhet në dosje.

Po sipas këtyre hetimeve, del se Evis Berberi ka vazhduar ta mbajë këtë marrëdhënie klienteliste me kompaninë që kishte themeluar po vetë dhe e kishte shitur me sa duket thjesht për të hequr dyshimin e një konflikti interesi me detyrën, edhe gjatë kohës që ishte drejtues në Autoritetin Rrugor Shqiptar.

HETIMI

Evis Berberi, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili u arrestua për korrupsion e pastrim parash, përfitoi miliona lekë nga shoqëria “DAAM”, të cilën sipas SPAK-ut, e zotëronte në mënyrë të tërthortë.

“Pas shitjes së kuotave të kompanisë ‘DAAM’ te shtetasja Brunilda Buli më datë 31 janar 2019, edhe pse nuk ishte më aksioner i kësaj kompanie, Evis Berberi është konstatuar që në periudhën 7 shkurt 2019 deri më 10 shkurt 2020 ka tërhequr para ‘cash’ nga llogaria e kësaj shoqërie vlerën 1 930 000 lekë si dhe 75 mijë e 100 eurosh”, – thuhet në dosje.

SPAK arrin në përfundimin se zyrtari i lartë është pronari de fakto i kompanisë, referuar mesazheve të zbuluara në celularin e Ervis Lamit, një prej dy biznesmenëve të arrestuar. Në dosjen voluminoze janë zbardhur mesazhet e shkëmbyera mes berberit, Ervis Lamit, biznesmenit tjetër të arrestuar Valter Begaj, i kompanisë “Net Group” dhe Brunilda Bulit.

Në një nga mesazhet, Evis Berberi i dërgon SMS Ervis Lamit: “Të duhet vërtetimi nga OSHEE? Më dërgo kontrata, libreza dhe ID të Valterit t’i bëjmë dhe vete i merr”.

Në një tjetër mesazh, Ervis Lami i dërgon një foto Berberit, ku shihet një automjet dhe i shkruan: “Të lashë peshqesh një palë syze. Mes 3 të arrestuarve dhe Brunilda Bulit ka qindra mesazhe të zbardhura në dosjen hetimore, ku ata flasin për tendera.

Evis Berberi akuzohet se firmosi 6 tendera në favor të ish-ortakut të tij, Valter Begaj, 3 prej të cilëve kur ishte në kreu të Agjencisë së Evidencës së Energjisë dhe 3 kur drejtonte Autoritetin Rrugor.

Më paratë e dyshuara si ryshfet, ai investoi dhe bleu sipërfaqe të mëdha toke në fshatin Mangull të Tiranës.

/Shqip.com