Lajme

Armend Agolli – kandidat i LDK-së për Mitrovicën

Lumir Abdixhiku dhe Armend Agolli

Armend Agolli do të jetë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Mitrovicës, ka njoftuar lideri i partisë, Lumir Abdixhiku, përcjell Shqip.com.

Në Facebook, ai ka shkruar se Agolli “një ndër neurokirurgët më me nam të Kosovës, doktori ynë i luftës, doktori ynë i paqes, do t’i prijë garës sonë në ‘Qytetin e Minatorëve’”.

“I lindur në Mitrovicë, pjesë e një familje të respektuar e patriotike, bashkëshort i Fatmires, baba i Diellzës e Dionisit, Armendi ka kaluar një jetë të tërë në shërbim të vendit. Doktori i Koshares kishte shërbyer me dinjitet e përkushtim në orët tona më të vështira. Ishte kujdestar i trimave e trimëreshave tona”.

“Pas luftës, në liri, pasi kreu shërbimin për atdhe, i ishte kthyer specializimit të tij në Suedi, ku bëri emër ndërkombëtarisht. Atje, në Suedi, ju besuan detyra udhëheqëse si pak të tjerëve në Evropë. Këtë arritje gjithmonë e kishte ndarë me vendin e tij, me Kosovë, duke u bërë një ndër doktorët më të kërkuar në vend. Armendi flet pesë gjuhë; përveç shërbimit në Suedi e Kosovë ka shërbyer edhe në Turqi e Shqipëri”.

“Në Kosovë e Mitrovicë, të gjithë e njohin si një njeri jo vetëm profesionist, por dhe të dashur e me përplot respekt; një udhëheqës modern në secili angazhim të tij. Është koha që përvojën e madhe të tij ta kthejmë në shërbim të qytetarëve në Mitrovicë; qyteti që ka nevojë për transformim rrënjësisht”.

Tutje, i pari i LDK-së është shprehur i lumtur që “profile të tilla – emra me nam botërorë / na bashkohen e bashkëudhëtojnë në rrugëtimin e madh për kthimin e LDK-së”.

Aktualisht Komuna e Mitrovicës udhëhiqet nga Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 17 tetor./SHQIP.com