Lajme

ARKEP miraton rregulloren e re për kontratat dhe transparencën

ARKEP
ARKEP

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka miratuar Rregulloren e re për Kontratat, Transparencën, publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundor të shërbimeve të komunikimeve elektronike.

Përmes njoftimi për media, ARKEP thotë se rregullorja është në përputhje me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike dhe qëllimi kryesor i saj është fuqizimi i mëtutjeshëm i të drejtave të konsumatorëve, si njëra nga objektivat kryesore të vendosura nga ARKEP (Konsumatori në qendër) në planin e saj të punës.

“Kjo Rregullore përcakton termat dhe kushtet, të cilat duhet t’i përmbajë kontrata për ofrimin e rrjeteve dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, masat për rritjen e transparencës dhe publikimin e informatës në dobi të konsumatorëve dhe përdoruesve të tjerë fundorë, si dhe rregullat dhe procedurat e zgjidhjes së ankesave që mund të lindin nga konsumatorët dhe përdoruesit e tjerë fundorë, në lidhje me kontratat”, thuhet në njoftimin e ARKEP-it.

Tutje në njoftim thuhet se rregullat e reja të miratuara nga ARKEP konsistojnë në vendosjen e obligimeve shtesë për operatorët sa i përket rritjes së transparencës dhe informimit të konsumatorëve lidhur me të drejtat e tyre.

Po ashtu në vendosjen e kërkesave specifike sa i përket kualitetit të shërbimeve të komunikimeve elektronike, me fokus në shërbimet e qasjes në internet dhe kualitetin e shërbimit të thirrjeve me zë.

“Ofrimin e mundësisë për konsumatorët për ndërprerjen e kontratës, për rastin e pakove të kombinuara, atëherë kur ka ndryshim për cilindo element të pakos. Në rast të ndryshimeve në kushtet e kontratës për qasje në shërbimet mediale audio vizuale, konstatimet do t’i jap autoriteti kompetent – Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Përcaktimin e procedurës për paraqitjen e ankesave, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe mënyrës së kompensimit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, ARKEP më tutje sqaron se periudha e vendosur kur ofruesi i shërbimit mund të kërkojë kompensim për shkëputjen e parakohshme të kontratës (gjatë 9 muajve të parë kur kontrata është lidhur për 12 muaj, përkatësisht 12 muajt e parë kur kontrata është lidhur për 24 muaj), vlen vetëm për rastet kur janë përmbushur të gjitha kushtet e kontratës nga ofruesi i shërbimit.

“Periudha detyruese është e pazbatueshme për kontratat te cilat vazhdohen ose janë vazhduar ne mënyre automatike. Të gjitha kontratat e vazhduara ne mënyre automatike mund te shkëputen njëanshëm, pa ndonjë arsye, nga përdoruesi fundorë në çdo kohë me një periudhë njoftimi te paktën pesë (5) ditë para datës së përfundimit të periudhës së faturuar dhe pa ndonjë kosto shtesë përveç tarifave për marrjen e shërbimit gjatë periudhës së njoftimit”, thuhet mes tjerash në njoftim.

“Ndërkaq, për të gjitha rastet tjera si, ndryshimi i njëanshëm i kushteve kontraktuale, funksionimi i dobët të shërbimit, apo shkeljeve tjera të kushteve kontraktuale nga ofruesi i shërbimit, konsumatori ka të drejtën e shkëputjes së parakohshme të kontratës. ARKEP do të publikoj Elementet kryesore të Kontratës në mes të përdoruesve fundor (konsumatorëve) dhe ofruesve të shërbimeve dhe/ose rrjeteve të komunikimeve elektronike pesëmbëdhjetë (15) dite pas hyrjes në fuqi të kësaj Rregullore”, përfundon njoftimi i ARKEP-it.

/Shqip.com