Lajme

ARKEP: IPKO ka vepruar njëanshëm duke ngritur çmimet për thirrje kombëtare

ARKEP
ARKEP

Konsumatorët e kompanisë telefonike “IPKO” nga 30 janari do të përballen me rritje çmimi prej 3 cent për minutë në thirrje kombëtare.

Kështu ka bërë të ditur kompania, duke paralajmëruar që ngritja e çmimit do ndryshoj nga 0.15 në 0.18 euro.

Por, në një përgjigje për Shqip.com “IPKO” nuk ka dhënë sqarime se cilët faktorë kanë reflektuar në nevojën për ngritje të çmimit.

“Rritja e çmimit është bërë për t’u mundësuar klientëve tanë të komunikojnë ‘si në shtëpi’ brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi në dispozicion shumë pako që përfshijnë minuta drejt operatorëve të tjerë, që nuk do të ndikohen nga ndryshimet e çmimeve”, thuhet në përgjigje.

Si rrjedhojë, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendimin e “IPKO”-së e vlerëson të një anshëm.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi, në një prononcim për Shqip.com thotë se janë duke shqyrtuar këtë rritje të çmimit, pasi kompania nuk ka reflektuar edhe pas uljes së çmimit që ARKEP ka bërë për thirrjet terminike.

“Termimin nënkupton kur ti thirrë, je klient i VALA-s, e shfrytëzon rrjetin e VALA-s dhe thirrë në IPKO, ti e shfrytëzon edhe rrjetin e IPKO-s. Tash terminimi bëhet prej VALA-s në IPKO dhe Vala duhet t’ia paguajë IPKO-s një tarifë për shfrytëzimin e rrjetit që ka arrit ajo lidhje deri te konsumatori. Këto tarifa të pagesës që VALA duhet t’ia paguajë IPKO-s ne e kemi ulur në vlerën 0.84 cent për minutë.

Këto tarifa i kemi ulë me qëllim që mos me qenë ngarkesë për operatorët dhe me qenë një barrë pak më e vogël që mos të ngarkohen me tarifa të larta. Tarifa e çmimeve që tash ka njoftuar IPKO dmth nuk ka reflektu në këto që kemi marrë, nuk  në mënyrë të njëanshme ata kanë njoftuar konsumatorët që nga 30 janari do ti rritin tarifat që për ne është shqetësuese”, ka thënë Rahimi.         

Ai thotë se ajo çka mund të bëjë ARKEP është që kjo rritje të mos realizohet por të mbetet çmimi i njëjtë për thirrje kombëtare nga “IPKO”.

“Ne kemi marrë këto informata dhe do t’i shqyrtojmë në aspektin rregullator çka mund të ndikojmë si rregullator ndërmarrim si rregullator që mos me i ngrit këto çmime. Për faktin që ne jemi duke shqyrtuar mundësi tjera të uljes së tarifave të shfrytëzimit që në mënyrë që në fund të përfitojnë konsumatorët, shtoi ai.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka në përgjegjësi rregullimin e tarifave për thirrje terminike, të cilat supozohet që të reflektojnë në tarifat individuale të kompanive.

Ndërkaq, operatori tjetër telefonik në vend – “VALA”, çmimin për minutë në thirrje kombëtare e ka 0.15 euro/cent./SHQIP.com