Kulturë

Arkeologët grekë i bëjnë thirrje UNESCO-s për të mbrojtur “Hagia Sophia”

Shoqata e Arkeologëve Grekë (SEA) botoi një letër të hapur të hënën, duke i bërë thirrje drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay të “ndërhyjë me forcë” për të mbrojtur Hagia Sophia në Stamboll, Turqi, raporton Artnews.

Një nga vendet më të rëndësishme fetare dhe kulturore në botë, “Hagia Sophia” u bë një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1985.

E ndërtuar fillimisht si kishë, qeveria turke e shndërroi strukturën në një xhami në vitin 2020 me një vendim shumë të diskutueshëm.

Në letër, SEA i kërkoi UNESCO-s, të “ndërhyjë me forcë për të ndryshuar situatën aktuale, e cila vetëm paraqet rreziqe për “Hagia Sophia”.

E ndërtuar nga Perandori Romak Lindor Justiniani I ndërmjet viteve 532 dhe 537, Hagia Sophia shërbeu si katedralja më e madhe e krishterë në botë deri në vitin 1453. Në atë kohë, Kostandinopoja u pushtua nga Perandoria Osmane dhe Hagia Sophia u shndërrua në xhami. Më pas u shndërrua në muze nga udhëheqësi turk Mustafa Kemal Ataturk në vitin 1935.

Letra e hapur vjen pas dëmtimeve të fundit në dyshemetë e mermerit të “Hagia Sophia” të shkaktuara gjatë një fatkeqësie pastrimi, së bashku me vandalizmin gjatë dy viteve të fundit ndaj artit dhe arkitekturës së njohur brenda ndërtesës si Porta Perandorake dhe mozaiku Theotokos.

Në letër, SEA shkruante, “Mungesa e kontrollit të vizitorëve dhe mungesa e personelit të sigurisë dëshmojnë për indiferencën ndaj mbrojtjes së monumentit dhe ia lënë mbrojtjen e monumentit unik vullnetit të çdo vizitori apo pelegrini”.

Që nga rifillimi i shërbimeve të rregullta liturgjike, integriteti dhe ruajtja e vendit ka qenë në pikëpyetje, sipas SEA. Organizata planifikon t’i drejtohet komunitetit shkencor ndërkombëtar, duke kërkuar si rezoluta ashtu edhe peticione të nënshkruara për ruajtjen e strukturës.

“Me të drejtë, ka pasur shqetësim brenda Turqisë dhe në nivel global për jetën e mëtejshme të Hagia Sophias unike”, thuhej në letër.

Për më tepër, letra ngriti shqetësime për shndërrimin e Manastirit Chora në Stamboll në një xhami.