Lajme

Arifi: Qeveritë kosovare po na lënë në mëshirën e fatit

Shqiprim Arifi, kryetar i Preshevës.

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka folur para mediave pas votimit në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që po mbahen sot në Serbi.

Arifi ka thënë se qytetarët e Preshevës edhe një herë po e dëshmojnë përkushtimin e tyre për të ushtruar të drejtën e votës, duke thënë se kështu po i dërgojnë mesazh Beogradit.

“Duam ta dëshmojmë edhe sot sidomos Preshevarët për t’i dhënë mesazh Beografit dhe Serbisë që edhe pse na keni pasivizuar, ne dalim dhe tregojmë artin e luftës që për dy dekada e më shumë janë duke e bërë”, tha ai para gazetarëve.

Të votojnë listën 15 e cila është ndryshe nga të tjerat që kanë ekzistuar më herët.

“Ne i kemi raportimet me vite që përafërsisht 6 mijë deri në 10 mijë qytetarë nuk kanë mudnësi të votojnë. Ne po e shohim mobilizimin e serbëve nga Kosova që t’i sjellin për të votuar në Bujanoc. Por, ne e shohim edhe një neglizhencë të Qeverive kosovare të cilët po na lënë në mëshirën dhe mundësitë tona”, tha më tej Arifi.

Në Serbi janë duke u mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, serbët e Kosovës të drejtën e tyre për votë nuk mund ta shfrytëzojnë brenda vendit. Kjo pasi, Serbia nuk i ka dërguar kërkesë Kosovës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Si rrjedhojë e kësaj, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve vendosi që komunat si Vranjë, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin – të caktohen si qendra të votimit për votuesit nga Kosova./Shqip.com