Lajme

Arifi: Qeveria Kurti koordinon aktivitetet me bandat serbe ndërsa me liderët e Preshevës ndërpren kontaktet

Shqiprim Arifi- Kryetar i Luginës së Preshevës

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, tha se Qeveria Kurti po i koordinon aktivitetet me bandat në veri të Kosovës përmes Listës Serbe, ndërsa i ka ndërprerë kontaktet e drejtpërdrejta me liderët e Luginës së Preshevës.

Ai përmes një postimi në Facebook, tha se nga përgjimet e fundit “faktizohet se Qeveria Kurti koordinon dhe sinkronizon aktivitetet me bandat në Veri të Kosovës përmes Listës Serbe edhe me personin e shpallur Non-Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Ndërkaq, me liderët e Luginës së Preshevës, kjo qeveri ka ndërprerë kontaktin e drejtpërdrejtë duke mirëpritur konspiracione dhe ngritur komplote antidemokratike nga këshilltari i izoluar i Kuvendit Komunal në Preshevë, kështu për të shkelur mbi vullnetin politik të shqiptarëve të Komunës së Preshevës, ku edhe rrezikohet destabilizimi i Luginës së Preshevës”, ka shkruar ai.

Tutje, ai tha se të gjithë edhe ndërkombëtarët e kanë kuptuan “boshtin e politikës strategjike të kësaj Qeverie!”

“Nuk e kuptoj dot, si arritëm nga ‘Jo-Negociata, Vetëvendosje’ në parimin e ‘Reciprocitetit’ e deri tek negociatat me Listën Serbe për politikat që tangojnë UÇK-në në Kuvendin e Republikës”

“Për Altarin e Lirisë nuk negociohet sot as kurrë, as me Milanin veç për ‘2-3 Minuta’”, ka përfunduar ai.

/Shqip.com