Lajme

Arifi: Problemet e Luginës i zgjidh veç marrëveshja Kosovë-Serbi

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka dalë në mbështetje të Qeverisë së Kosovës e cila ka refuzuar të marrë pjesën në nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Sipas tij, kjo nismë nuk është për një Ballkan të hapur, pasi Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës.

I pari i Bujanocit përkrah Qeverinë e Kosovës edhe për vendosjen e masës së reciprocitetit në targa me Serbinë, derisa kërkon reciprocitet edhe në çështjet e tjera.

“Situata momentale në Luginë të Preshevës është e brishtë si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik. Në aspektin politik, ndikon shumë se si janë duke shkuar bisedat në Bruksel mes palës së Kosovës dhe palës së Serbisë”.

“Në aspektin ekonomik, qeveria e Serbisë nuk ka ndonjë vullnet që të zhvillohet ajo pjesë e territorit. Ne shpresojmë dhe besojmë që shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar dhe pastaj shpresoj që situata do të normalizohet”, deklaron ai për KP.

Lugina e Preshevës kërkon ulëse në bisedimet në Bruksel
Lugina e Preshevës

Arifi tregon ndikimin që pati për qytetarët e Luginës vënia e reciprocitetit në targa me Serbinë.

“Kohët e fundit kemi pasur situata jo dhe aq të lakmueshme në pjesën tonë. Momenti kur ka filluar të implementohet reciprociteti ndaj Serbisë sa i përket targave të veturave. Ne e kemi mbështetur atë vendim. Shpresoj se do të përdoret ai reciprocitet edhe në lëmi tjera, sidomos në nustrifikimin e diplomave sepse një numër i të rinjve pasi kryejnë fakultetin në universitete të Kosovës, Serbia nuk i pranon…”.

“Situata për momentin është e qetë në atë drejtim derisa Serbia kontrollon pjesën e veriut. Momentin që e humb këtë privilegj, atëherë Serbia do të përdorë edhe forcën për të shtypur shqiptarët edhe më tutje në Luginë të Preshevës”.

Ndërkohë që e sheh të drejtë vendimin e Kosovës për të mos qenë pjesë e nismës rajonale “Ballkani i hapur”.

“Kjo iniciativë për ‘Ballkanin e hapur’, ende nuk kemi dëgjuar ndonjë program të posaçëm se çka prodhon. Unë personalisht nuk e përkrahi. Përderisa Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet të pavarur atëherë nuk kemi të bëjmë me një ‘Ballkan të hapur’ sepse për të shkuar në Serbi duhet të kalohet përmes Kosovës”./SHQIP.com