Lajme

Arifi dhe Salihu e cilësojnë si “jo urgjent” takimin e thirrur nga Kurti

Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu

Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu, nuk morën pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Burime të Shqip.com pranë dyshes, tregojnë se asnjëra palë nuk e kanë cilësuar si takim urgjent.

“E kanë cilësuar që nëse s’ka diçka urgjente prej z Kurtit, mos me marr pjesë sot, por me taku një ditë tjetër. Përveç kësaj, në Kuvend është duke u mbajtur seanca e thirrur për shkarkimin e Ardita Sinanit”, thotë ky burim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Burime të Shqip.com brenda qeverisë kanë treguar se në këtë takim është tentuar që liderët të pajtohen për mos shkarkimin e saj.

Lexo edhe:
Takimi i thirrur nga Kurti, tentim për ta parandaluar shkarkimin e Ardita Sinanit

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e Kryeministrisë.

Në ndërkohë, në Kuvendin Komunal të Preshevës është duke u mbajtur seanca për shkarkimin e Ardita Sinanit nga pozita e kryetares së kësaj komune.

Në arsyetimin për shkarkimin e Sinanit, thuhet “si pasojë e krizës institucionale dhe mosfunksionimit të pushtetit lokal”.

Sinani u zgjodh në krye të Preshevës më 21 maj 2021, si pjesë e Partisë për Veprim Demokratik./Shqip.com