Lajme

Arifi akuzon VV-në: Po e shfrytëzon pushtetin për të shtrirë programin politik në Luginë

Shqiprim Arifi, kryetar i Preshevës.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka kritikuar pushtetin aktual në Kosovë për ndërhyrje flagrante në Luginë. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po tenton programin e saj politik ta shtrijë edhe Preshevë.

“Në vitin 2022 ka qenë edhe një herë më e rëndë për arsyeje të ndërhyrjes flagrante në proceset demokratike në vendin tonë nga Vetëvendosja në Kosovë, që kemi pasur një sfidë me ta, të panevojshme e cila është bazuar më shumë në inate të Albinit Kurtit dhe Liburnit Aliut se sa në objektivitet të çështjes. Sepse, askush askund nuk ka të drejtë të ndërhyjë në proceset demokratike. Këtu i ka zatet sharra ngushtë”, shprehet i pari i Preshevës.

Për më tepër, i pari i Preshevës ka thënë se VV-ja ka tentuar edhe në Shqipëri ta bëjë të njëjtën politikë.

“Ata po përdorin qeverinë e vet dhe po përdorin institucionin e qeverisë dhe të gjitha shërbimet e tjera që të mundin programin e tyre politik të Vetëvendosjes që të implementojë në vend por edhe në Luginë. Të njëjtën është munduar ta bëjë edhe në Shqipëri, por edhe në Luginë. Këtu e ka bërë edhe një herë më të rëndë situatën”, thekson ai.

Kësaj radhe shqiptarët e kanë vetëm një përfaqësues në Parlament të Serbisë, por Arifi nuk e konsideron të tillë Shaip Kamberin.

“Shqiptarët nuk kanë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë, e kemi një të deleguar nga Vuçiqi, i cili e ka emrin Shaip Kamberi. Është dënuar me votë, sepse u deshtë pesë-gjashtë herë më u prish një vendvotim vetëm e vetëm që të ia mundësojë Vuçiqi të shkojë Shaip Kamberi në parlament”, deklaron ai për Kosovapress.

Kryetari i Preshevës shprehet i pakënaqur edhe me fondin dy milionësh të ndarë nga qeveria, meqë siç thotë ai, këto mjete janë zhvatur dhe kthyer në gjepat e Vetëvendosjes.

“Për arsyeje abnormale dhe subjektive, sepse i ka pëlqyer Ardita Sinanit, Liburn Aliut, Ragmi Mustafit dhe unë tash krejt qeverinë dhe Kosovën duhet t’ia dedikojë këtyre tre personave. Për këtë arsyeje kam thënë që është abnormale. Pra me këto mjete deri në dhjetor janë përdor për të shkuar e për të shëtitur në Amerikë njerëzit që nuk dinë as anglisht e as nuk kanë përkthyer dhe nuk dinë ta elaborojnë çështjen e Luginës së Preshevës. Këto dy milionë euro janë zhvatur dhe janë kthyer në gjepat e Vetëvendosjes nëpërmjet piunëve të tyre në Luginë të Preshevës”, shton kryetari i Preshevës.

/Shqip.com