Sport Ndërkombëtar

Ardian Ismajli shënon për Empolin në ndeshjen miqësore

Mbrojtësi nga Kosova i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli vazhdon të jetë një nga futbollistët më në formë të skuadrës së Empolit, e jo vetëm në fazën mbrojtëse.

Futbollisti prishtinas i kthyer në një pikë fikse në rreshtimin e ekipit të Serisë A, po shfaqet gjithnjë e më shumë edhe si një forcë shtesë në fazën ofensive të ekipit, duke rezultuar efikas në zonën kundërshtare në goditjet standarte.

Ai ka treguar se di të tundë rrjetën kundërshtare edhe në miqësoren e sotme që Empoli ka luajtur kundër Sturm Graz, si pjesë e përgatitjeve për vijimin e sezonit që fillon pas ndërprerjes për shkak të Kupës së Botës.

Ismajli i cili ishte në stolin e rezervave te Empoli duke u aktivizuar në pjesën e dytë, shënoi me kokë në minutën e 87 të duelit, duke realizuar golin e 2-1 që i dha fitoren ekipit të tij në një test që shërbente më shumë për të parë gjendjen e futbollistëve pas pushimeve që kanë pasur në këtë periudhë.

/Shqip.com