Lajme

ARBK suspendon prapë certifikatën e biznesit të Klan Kosova

Klan Kosova

Një vendim i ri sot nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka njoftuar se është anuluar vendimi i një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova Sh.P.K.

Në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova, fakt i cili nuk qëndron.

Sipas informatave nga media tjera, znj. Prestreshi është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Enver Haliti.

Vendimi ka edhe këshillën juridike, në të cilën thuhet se “pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin për Shqytimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të Vendimit”.

Klan Kosova ka shprehur habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së, brenda më pak se 24 orë prej vendimit të parë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta kthejë ligjshmërinë në këtë çështje.

Ndërsa AGK-ja, e alarmuar ka reaguar ndaj vendimit të ri të ARBK-së kundër Klan Kosovës

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim të madh lajmin se më pak se 24 orë pas vendimit për anulimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, ARBK-ja, sot ka marrrë një vendim për ta anuluar atë vendim, dhe për ta mbajtur në fuqi vendimin fillestar të datës 14 qershor.

AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë“, thuhet në reagimin e tyre.

AGK-ja, bën thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

/Shqip.com