Sport Shqiptar

Arben Fetahu iu drejtohet me një mesazh tifozëve para finales

FOTO: Kosovabasketballfederation
FOTO: Kosovabasketballfederation

Finalja e Kupës së Kosovës në Rahovec do të dhurojë një super ndeshje mes Trepcës dhe Sigal Prishtinës, dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, i drejtohet me një mesazh tifozëve.

Thirrje publike tifozëve!

Të nderuar basketbolldashës e tifozë të basketbollit, sot, pas një jave plot basketboll cilësor të zhvilluar nën organizim të mrekullueshëm të qytetit dhe klubit nikoqir, po kurorëzojmë javën e basketbollit në Rahovec ku do të shpallim fituesit e Kupës së Republikës për të dyja gjinitë, pas finaleve në të cilat do garohet për çmimin prestigjioz të fituesit të Kupës dhe vendin e garantuar në garat evropiane stinorin e ardhshëm.

Natyrisht se këto ndeshje kanë nxitur interesim të jashtëzakonshëm të publikut, i cili përbën një nga vlerat kryesore të basketbollit tonë.

Është pikërisht interesimi i publikut, prania e tij në palestrat tona dhe përcjellja e theksuar mediatike që ia bëjnë sportit tonë ajo që i motivon drejtuesit e klubeve, sponsorët tanë dhe tërë komunitetin e basketbollit që të punojë pareshtur për të avancuar dhe ngritur basketbollin edhe më tej në vendin tonë duke e etabluar atë si sportin më të dashur në Kosovë.

Muajve të kaluar, me qëllim të ruajtjes së garës sonë nga kërcënimi real i pezullimit apo mbylljes së plotë, kemi qenë të shtyrë të zbatojmë vendim të rëndë dhe kufizues për tifogrupet e organizuara në ndeshjet tona.

Ky vendim mund të ketë qenë vendimi më i rëndë i nxjerrë nga organet e FBK gjatë këtij mandati, por ka qenë i domosdoshëm marrë parasysh që incidentet e rënda në ndeshjet basketbollistike po e çonin sportin tonë të zemrës drejt pezullimit të garës apo mbylljes së plotë për shikues, gjë që do të ishte shkatërrimtare për klubet tuaja të zemrës dhe për basketbollin tonë në përgjithësi.

Finalet e sotme ne Rahovec, në të cilat publiku pritet të jetë në numra të mëdhenj, do të jenë test i vërtetë i gatishmërisë së tifozëve për tu kthyer në palestrat tona, prandaj, ju u bëj thirrje të gjithë tifozëve të pranishëm që të sillen konform normave dhe rregullave të mirësjelljes, të tregojnë kulturë dhe edukatë, të anojnë për klubet e tyre të zemrës në mënyrë korrekte dhe t’i dëshmojnë të gjitha organeve vendimmarrëse në vendin tonë që janë të gatshëm t’i kthehen palestrave të tyre me shenjat e tyre dalluese dhe mjetet ndihmëse që kanë krijuar atmosfera të cilave ua kanë zili gjithë bota. Nga zemra uroj që bashkë të kalojmë këtë test dhe t’i hapim rrugë kthimit të plotë të tifozëve në palestrat tona që nga xhiroja e ardhshme.

Po shfrytëzoj këtë prononcim për të falënderuar, në emër të FBK, qytetin e Rahovecit dhe Klubin e Basketbollit Rahoveci për organizimin dhe mikpritjen e festës basketbollistike këtë javë, ndërsa katër klubeve finaliste ju dëshiroj paraqitje sa më të mirë dhe sukses me urimin që të fitojë më i miri!”, ka shkruar Fetahu.

/Shqip.com