Lajme

Apeli i Hagës ul dënimin ndaj ish-komandantit të UÇK, Salih Mustafa

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Vendimi është bërë i ditur nga kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, të enjten, në sallën e gjyqit në Hagë ku i pranishëm ishte edhe Mustafa. Aktgjykimi i 14 dhjetorit është i pari i Apelit për krime lufte i shqiptuar në Gjykatën Speciale.

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Speciale, me 26 vjet burgim si dënim të njësuar për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ai ishte dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Mustafa ishte shpallur i pafajshëm për trajtim mizor. Vetë ai ishte deklaruar i pafajshëm për këto krime.

Më vonë gjatë këtij viti, Salih Mustafa e kishte apeluar vendimin prej 26 vjetësh burgim duke kërkuar shpalljen e një vendimi pafajësie apo ulje të dënimit. Mustafa kishte pretenduar për gabime juridike dhe faktike nga trupi gjykues, por këto kundërshtime u rrëzuan nga Paneli i Apelit.

Përmes avokatit të tij, Mustafa kishte thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës. Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që aktgjykimi dënues të mbetej në fuqi meqë sipas tyre, për këtë kishte prova të besueshme.

Dënimi ndaj Mustafës kishte shënuar aktvendimin e parë të Speciales lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

/Shqip.com