Lajme

Apeli e ktheu lëndën në rigjykim / Çka do të ndodhë me Krivaqën e Sejdiun?

Gjykata e Apelit e ka kthyer sot në rigjykim lëndën ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët akuzohen për vrasjen e Marigona Osmanit.

Krivaqa e Sejdiu do të vazhdojnë të mbahen në paraburgim, deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Lexo edhe:
Vrasja e Marigonës / Apeli e anulon Aktgjykimin për dënimin e Krivaqës e Sejdiut, e kthen lëndën në rigjykim

“Gjykata e Apelit, me aktvendimin PAKR.nr.677/23, të datës 11.01.2024, ka aprovuar, ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve D.K, av.Admir Salihu dhe A.S, av.Arbnora Shefkiu, av.Avni Ibrahimi edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923, të datës 04.08.2023, e ka anuluar ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim. Në pikën II të dispozitivit të aktvendimit, kjo gjykatë pretendimet ankimore të prokurorisë dhe ato të mbrojtësve për bazat e tjera ankimore si dhe të përfaqësuesit të palës se dëmtuar, i ka konsideruar tani për tani si jo lëndore, ndërsa në pikën III të dispozitivit të aktvendimit, ka konstatuar se të akuzuarit, D.K dhe A.S, të mbeten në paraburgim, deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së pare”, thuhet në njoftim.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.

Më 4 gusht të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigonës, ndërsa Arbër Sejdiun me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë. Ky Aktgjykim është prishur me aktvendim të Gjykatës së Apelit dhe tash do të ketë rigjykim.

/Shqip.com