Lajme

Anton Quni jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së LDK-së në Prizren

Ish-kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të kësaj partie në këtë komunë, shkruan Shqip.com.

Dorëheqja ka ardhur si pasojë e humbjes në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor të këtij viti.

“Unë, sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të LDK-së – Dega në Prizren. Këtë vendim e mora si pergjegjësi morale e imja për mosarritjen e rezultatit të duhur në zgjedhjet lokale”, ka shkruar Quni në Facebook.

Komuna e Prizrenit ishte në mesin e 21 komunave që shkuan në balotazh, por Quni nuk ishte prej kandidatëve që vazhdoi garën.

Komuna e Prizrenit

Ai kishte marrë vetëm 14.98 % të votave, kështu duke ia pamundësuar garën për balotazh.

“Përkundër ngritjes së numrit të votave, në krahasim me zgjedhjet nacionale 2021, dhe rritjes se numrit të kuvendarëve, ishte e pamjaftueshme që të jemi në raundin e dytë për të parin e komunes”, ka shkruar Quni.

Quni ka njoftuar se do të mbetet i angazhuar si anëtar i Kryesisë së Degës, nënkryetar i LDK-së në qendër dhe deputet i Grupit Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Theksojmë se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 14 nëntor, Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës, kishte marrë 50.90 përqind të votave, ose 26 mijë e 850 vota.

Kështu duke e mposhtur ish-kryetarin e Prizrenit, nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, i cili kishte marrë 25 mijë e 900 vota ose 49,10 përqind të votave./Shqip.com