Kulturë Kino

Angelina Jolie do të luajë rolin e sopranos më të njohur në botë

Angelina Jolie do të luajë në filmin e radhës të regjisorit të nominuar për Oscar, Pablo Larraín, një film biografik për këngëtaren e famshme të operës Maria Callas.

I titulluar “Maria“, filmi “tregon historinë e trazuar, të bukur dhe tragjike të jetës së këngëtares më të madhe të operës në botë, e rijetuar dhe ri-imagjinuar gjatë ditëve të saj të fundit në Parisin e viteve 1970”.

Callas ishte një këngëtare soprano greke me origjinë amerikane dhe një nga këngëtaret më të famshme të operës së shekullit të 20-të.

Ajo lindi në Manhatan dhe mori trajnimin e saj për opera në Greqi kur ishte 13 vjeç dhe më vonë u transferua në Itali për karrierën e saj. Gjatë gjithë viteve, ajo u përball me miopinë që e la pothuajse të verbër dhe skandale të shumta në jetën e saj personale dhe profesionale.

Ajo kishte një rivalitet të fortë me këngëtaren italiane të operës Renata Tebaldi, plus një lidhje me Aristotle Onassis (i cili më vonë u martua me Jacqueline Kennedy Onassis, e cila rastësisht ishte subjekt i filmit të Larraín “Jackie).

“Të kem mundësinë për të kombinuar dy pasionet e mia më të thella dhe personale, kinemanë dhe operën, ka qenë një ëndërr e shumëpritur,” tha Larraín.

“Ta bësh këtë me Angelinwn, një artiste jashtëzakonisht e guximshme dhe kurioze, është një mundësi magjepsëse. Një dhuratë e vërtetë.”

“Unë e marr shumë seriozisht përgjegjësinë për jetën dhe trashëgiminë e Maria. Do të jap gjithçka që mundem për të përballuar sfidën. Pablo Larraín është një regjisor që e kam admiruar prej kohësh. Të lejohesh të tregosh më shumë për historinë e Maria me të, dhe me një skenar të Steven Knight, është një ëndërr”, tha Jolie.

Dy filmat e mëparshëm biografikë të Larraín, “Spencer” i vitit të kaluar me Kristen Stewart në rolin e Princeshës Diana dhe “Jackie” i vitit 2016 me Natalie Portman si Kennedy Onassis, të dyja morën nominimet për aktoren më të mirë për dy zonjat kryesore.

Regjisori i mirënjohur gjithashtu mori një nominim për çmimin Oscar.

/Shqip.com