Analiza e REL: Kush do zgjedhje të parakohshme në Kosovë?
Gati çdokush flet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë – madje edhe prej partisë në pushtet – por, zyrtarisht, askush nuk e thotë se përse vendi do të duhej të shkonte në një proces të ri zgjedhjesh, pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë.
Me këtë pyetje Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, por nuk mori përgjigje.
Anëtarë të partisë së Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thënë në disa raste se “është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”.
“Nëse Qeveria mendon se duhet ta çojë deri në fund mandatin, kush jam unë që t’i përzihem asaj?”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në një intervistë për Televizionin Klan Kosova, në fund të muajit të kaluar.
Megjithatë, sipas tij, “është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, në mënyrë që “legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me sfida, e jo sfidat ta orientojnë karakterin e legjitimitetit”.
Konjufca i ka lidhur zgjedhjet me zhvillimet që pritet të ndodhin në Kosovë në vitin 2024, por nuk ka specifikuar më shumë.
Në favor të zgjedhjeve të parakohshme, ai është shprehur edhe përmes një deklarate dhënë mediave në Kosovë javën e kaluar.
E, nëse zgjedhjet mbahen me rregull, ato do të duhej të zhvilloheshin në shkurt të vitit 2025.
Çfarë mund të pritet në Kosovë?
Kosova, prej muajsh, është nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të dakorduar me Serbinë.
Në këmbim, ndërkombëtarët i kërkojnë Serbisë që ta njohë de facto Kosovën.
Të dyja këto çështje janë pjesë e asaj që njihet si Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, Kurti kërkon që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet në tërësi.
Disa analistë thonë se është pikërisht çështja e Asociacionit që do ta shtyjë Qeverinë e Kosovës drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Pacolli: Nuk është diskutuar
Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se, brenda partisë, për opsionin e zgjedhjeve të parakohshme nuk është folur, por nuk e përjashton mundësinë që të diskutohet në ditët në vazhdim.
“Ndoshta do të ketë [diskutime] ditëve në vijim, por, tani për tani, nuk ka ndonjë diskutim që është zhvilluar brenda Kryesisë [së Lëvizjes Vetëvendosje] për zgjedhje të parakohshme”, thotë Pacolli, vetë anëtare e kësaj kryesie.
Çka thotë opozita?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se Kosova ka nevojë për zgjedhje të parakohshme.
Këtë qëndrim, PDK-ja e ka bërë të qartë qysh në korrik të vitit të kaluar, sipas tij.
“Tashmë është evidente se kjo qeveri, në këto tre vjet të qeverisjes së saj, i ka sjellë vetëm dëme dhe regres vendit tonë dhe ka dëshmuar paaftësi totale në secilën fushë”, thotë Krasniqi, pa specifikuar më shumë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shfaq shpresën që partitë politike “të pajtohen sa më parë për datën e zgjedhjeve të parakohshme”.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por se nuk do t’i kërkojë ato.
Sipas tij, zgjedhjet duhet të jenë të rregullta, sepse pushtetit aktual nuk i ka mbetur edhe shumë kohë deri në fund të mandatit.
Megjithatë, shton se zgjedhjet e parakohshme mund t’i provokojë vetë Qeveria e kryeministrit Kurti, e cila “përballet me obligimet” që dalin nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e posaçërisht me procesin që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Edhe nëse vendi shkon në zgjedhje [të parakohshme], zoti Kurti do t’i mbajë obligimet mbi shpatulla, politikisht, dhe nuk mund të largohet”, thotë Haziri.
Opsionin e zgjedhjeve të parakohshme e lidh me Asociacionin edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
“Unë pres zgjedhje… Por, mendoj se vetëm presioni ndërkombëtar për zbatim të Asociacionit, do të bëjë që Qeveria të shkojë në zgjedhje”, thotë ai.
Partia e tij, edhe më herët, është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Javën e kaluar, ajo ka zyrtarizuar një marrëveshje për koalicion parazgjedhor me partinë Nisma.
Çka thonë analistët?
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se partitë opozitare nuk kanë fuqi numerike për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë e, rrjedhimisht, as zgjedhje të parakohshme.
Ai thotë se për zgjedhjet e parakohshme, shkaktare mund të jetë Qeveria e Kosovës, e cila përballet me presion ndërkombëtar për veprime konkrete lidhur me Asociacionin.
“Këto veprime, unë nuk besoj se Qeveria do t’i bënte në vitin e fundit të mandatit të saj, sepse kjo do të ishte një goditje e rëndë politike për veten e saj… Prandaj, mendoj se partia në pushtet, Vetëvendosja, me shumë gjasa po kërkon zgjedhje para se të arrihet te ky veprim për Asociacionin, në mënyrë që të marrë edhe një mandat dhe, pastaj, në mandatin e dytë, të veprojë dhe të shkojë drejt zbatimit të marrëveshjes për të”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.
Artan Muhaxhiri, sociolog dhe njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, thotë se Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti mund t’u konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, “për ta legjitimuar sërish pushtetin”.
Por, sipas tij, nëse Kurti nuk ka ndonjë plan konkret për t’iu përgjigjur kërkesave të partnerëve perëndimorë lidhur me formimin e Asociacionit pas atyre zgjedhjeve, atëherë ato do të ishin të panevojshme.
“Zgjedhjet e reja kanë kuptim vetëm nëse Kosova do t’i përshpejtojë hapat drejt pranimit të Asociacionit, drejt funksionalizimit të tij, që është kërkesa kryesore edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe e Bashkimit Evropian. Në të kundërtën, nuk ka ndonjë kuptim as fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje [në zgjedhje], edhe nëse ajo është absolute”, thotë Muhaxhiri.
Kurti vazhdimisht ka insistuar se nuk mund të ketë asociacion njëetnik në Kosovë, që do të kishte kompetenca të gjera ekzekutive.
Ai ka marrë shkurtimisht pushtetin në vitin 2020, ndërsa një vit më vonë, në mars të vitit 2021, është rikthyer në krye të Qeverisë.
Atëkohë, ai ka thënë se do të angazhohet për luftën kundër korrupsionit dhe punësimin, rritjen e prodhimit, fuqizimin e ndërmarrjeve publike e të tjera – pa e përfshirë dialogun me Serbinë në mesin e prioriteteve.
/Shqip.com