Lajme

Analiza e LVV-së pas zgjedhjeve: Çlirimi ende s’është arritur, lufta jonë është më e gjatë

Lëvizja Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur një mbledhje ku kanë bërë një analizë të rezultatit të balotazhit të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 14 nëntor, në 21 komuna të Kosovës.

Përmes kësaj analize, Vetëvendosje shpreh pakënaqësi rreth numrit të komunave të fituara në këto zgjedhje.

“Katër komunat e fituara dhe 194 asambleistë nëpër komuna është mirë por nuk është mjaft. Numri i komunave nuk është rezultat i kënaqshëm për ne”, thuhet në reagimin e publikuar në Facebook.

Si ndër faktorët për rezultatin jo të mirë, LVV përmend pandeminë dhe pamundësinë për të mbajtur tubime të mëdha në komuna, shkruan Shqip.com.

Më tutje, thonë se e kanë marrë mesazhin nga qytetarët dhe se zgjedhjet kanë qenë mësim për këtë parti.

”Tash, të rëndësishme janë mesazhet që qytetarët na i kanë dërguar. Këto zgjedhje kanë qenë mësim për ne. Pranojmë të nxjerrim mësime sepse politika është shkolla jonë e përhershme. Ne kemi qenë të papërsosur kundrejt bashkimit të përkryer të kapitalit”.

Ilustrim

Në fund, thonë se do të vazhdojnë të luftojnë për ta çliruar vendin nga korrupsioni.

“Çlirimi ende nuk është arritur e ne duhet të luftojmë për këtë. Lufta jonë është më e gjatë. Ne as nuk lodhemi, as nuk dorëzohemi. Kosova është shumë e vlefshme për t’ua lënë në duart e stërvitura për korrupsion”

“Urojmë më të mirën për Kosovën dhe për komunat. Qofshin ndryshime estetike apo më përmbajtësore, në pastë të tilla do t’i përgëzojmë e shijojmë. Në mungofshin do t’i kërkojmë”, përfundon reagimi nga Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në rundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk arriti të fitojë asnjë komunë. Në rundin e balotazhit, partia e kryeministrit Albin Kurti fitoi në katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh.

Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime./Shqip.com