Lajme

Qëndrimet e Spiropalit dhe një krahasim pse loja mund të bëhet e rrezikshme për Ramën

Nga Fitim Zekthi

Elisa Spiropali, me qëndrimet që po mban, sidomos me faktin që ka kurajon të kundërshtojë apo kritikojë një qeverisje tmerrësisht të kontrolluar, një kryeministër që pretendon se zotëron jo thjesht të vërtetën superiore, por edhe pushtetin ta imponojë këtë të vërtetë, po i bën një shërbim shumë të madh politikës së vendit.

Rama nuk do bjerë nga kritikat apo qëndrimet e Spiropalit, por qëndrimet e Spiropalit tregojnë se mund të dilet kundër një pushteti të tillë, se jo të gjithë rrinë dhe nënshtrohen për të qenë deputetë e servilë, poshtërohen mjerisht për një vend në parti pranë liderit.

Navalny nuk e rrezikonte dot Putinin, shkruante Pierre Manent, por fakti që i doli kundër e fuste në ankth Putinin, sepse kjo tregonte që të tjerë mund të dilnin si ai dhe pastaj loja bëhej e rrezikshme.

Spiropali mund të kritikohet vetë pse po e bën tani apo për çfarë qëllimesh po e bën (ka shumë variabla dhe tek ne të gjithë gjykojnë qëllimet e kujtdo), por rëndësi ka shembulli dhe domethënia e asaj që ajo bën.

Një parti apo një qeverisje vdes plotësisht kur të gjithë heshtin, nënshtrohen, binden për qëllime të ulëta ndaj liderit, sidomos atij qe kerkon me cdo kusht te mbroje pushtetin e tij.

/Shqip.com