Lajme

Analistët vlerësojnë se Vuçiq krijoi ambientin për ngritjen e partive radikale me qëllim që të shihet si më i moderuar nga ndërkombëtarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Analistët dhe studiuesit e shkencave politike deklarojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka lejuar që brenda Serbisë të krijohet një frymë anti-përendimore e cila ka kulmuar me ngritjen e partive të djathta të cilat në këto zgjedhje kanë arritur që të fitojnë më shumë ulëse në Parlamentin e Serbisë.

Despot Kovaçeviq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Serbi deklaron se nuk është e rastësishme që në këto zgjedhje partitë e djathta morën më shumë vota.

“Vetë qeveria krijoi një mjedis për rritjen e së djathtës dhe askush nuk duhet të habitet nga suksesi i tre opsioneve të djathta”, tha ai.

Ndërkaq eksperti i Ballkanit, Florian Biber deklaroi se Partia Progresive Serbe ka kontribuar në këtë rezultat ngase presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dëshiron që të tregojë se në Serbi ka grupe radikale politike dhe se ai është opsioni më i mirë për Perëndimin.

“Partia Progresive Serbe në pushtet ka kontribuar gjithashtu në rezultatin e mirë të partive të djathta në zgjedhjet në Serbi dhe se lideri i saj Aleksandar Vuçiq ishte i kënaqur me këtë, sepse ai mund të paraqitej më lehtë para partnerëve perëndimorë si një opsion më i moderuar”, ka thënë ai.

Opsioni i djathtë

Fitues të këtyre zgjedhjeve janë edhe tri grupet e djathta që arritën të kalojnë pragun si për Kuvendin e Serbisë, ashtu edhe për Kuvendin e qytetit në Beograd.

Megjithëse rezultati i tyre zgjedhor është njëshifror, zëri i ekstremit të djathtë do të dëgjohet në asamblenë republikane dhe atë të kryeqytetit.

Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, koalicioni “Shpresa”, i cili përbëhet nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS) me një pjesë të Lëvizjes për Ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë, fitoi 5.4 për qind të votave.

Kështu, DSS-ja e djathtë rikthehet në bankat parlamentare. Në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2020, kjo parti nuk arriti ta kalojë pragun.

Në Kuvendin e Serbisë rikthehet edhe Partia Dveri. Koalicioni rreth kësaj partie fitoi 3.9 për qind të votave.

Dveri ishte pjesë e opozitës që bojkotoi zgjedhjet e vitit 2020, duke besuar se nuk kishte kushte për mbajtjen e tyre në mënyrë të drejtë dhe të lirë.

Kjo lëvizje hyri për herë të parë në Kuvendin republikan në zgjedhjet e vitit 2016.

Partia Zavetnici, në anën tjetër, mori më pak vota në këtë bllok, por si parti arriti suksesin më të madh.

Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ajo mbeti tri herë nën prag. Tani ka arritur të fitojë 3.8 për qind të votave.

Edhe Dveri, edhe Zavetnici i përkasin ekstremit të djathtë.

Gjatë fushatës zgjedhore, të tria këto subjekte morën një qëndrim të favorshëm ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje dhe kritikuan Qeverinë e Serbisë për dënimin e agresionit rus në Kombet e Bashkuara. /Shqip.com