Lajme

Analistët kërkojnë një draft në përputhje me Kushtetutën për Asociacionin

Mitrovica e Veriut

Tema e Asociacionin të komunave me shumicë serbe është aktuale tash e një kohë të gjatë në skenën politike.

Analistët në Kosovës vlerësojnë se duhet të krijohet një draft në përputhje me kushtetutën e Kosovës në lidhje me Asociacioni.

Profesori Universitar, Milazim Krasniqi, thotë se Bashkimi Evropian tashmë e ka ide të qarta se duhet të përfshihet edhe çështja e Asociacionit në marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

“Elementet e Asociacionit tash për tash nuk mund t’i dimë, por bindja ime e thellë është që BE tashmë e ka një ide të qartë se duhet të përfshihet edhe çështja e Asociacionit një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Qeveria e Kosovës dhe institucionet  duhet të jenë të fokusuara që të ofrojnë një draft i cili do të marr parasysh vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Krasniqi.

Po ashtu edhe Mazllum Baraliu thotë se deri tani nuk ka pasur dakordim për asgjë dhe përgjegjësia për ngecjen e procesit të dialogut gjithherë ka qenë e Serbisë.

“Nuk mendoj që është e thjeshtë marrëdhënia konfliktuoze ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhet me një takim. Deri më tani nuk ka pasur dakordim për asgjë pothuajse dhe mendoj që përgjegjësia për ngecjen e procesit të dialogut gjithherë kaq qenë e Serbisë sepse Serbia në mënyrë të theksuar ka qenë  dhe është të e interesuar të zvarrisë procesin dhe të bëhet anëtare e BE-së dhe të mos e njohë Kosovën”, ka thënë Baraliu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kush dëshiron që ta dijë qëndrimin tonë për Asociacionin duhet ta lexojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Për ne Gjykata Kushtetuese e ka dhënë përgjigjen, kushdo që dëshiron të dijë se cili është qëndrimi ynë mjafton që të lexohet ai vendim. Ne kurrë s’kemi krijuar pritshmëri të tjera. Jemi jashtëzakonisht të zëshëm dhe këtë po e bëjmë në atë se çka Serbia nuk po bën, dhe ndër të tjera është edhe vazhdimi i mbështetjes e financimit të strukturave kriminale që janë të rrezikshme për shtetin e Kosovës dhe qytetarët serbë në veri”, ka thënë Osmani.

Për këtë Kurti ka thënë se Kosova e ka Asociacionin e Komunave, e që i mjafton.

Kosova e ka Asociacionin e komunave dhe besoni se mua po më del boll ky Asociacion, ka thënë Kurti lidhur më këtë çështje./Shqip.com