“AMG Food” e skandalit të Salmonelës, pronare e kontejnerit ku u gjetën 41 kg kokainë. Shpallen në kërkim Arben dhe Mondi Goxhaj?
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i zhvilluar ditën e sotme në Portin e Durrësit, ku Policia sekuestroi 41 kg e 350 gramë kokainë, me një vlerë tregu që përllogaritet rreth 2 milionë euro.
Droga u zbulua në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili sipas dokumentacionit transportonte mish pule. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë të fshehura në kapakët e jashtëm të kontejnerit.
Sipas MCN, kompania që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës, ku u gjetën edhe 41 kilogramët e kokainës, është AMG Food, me administrator/pronar Arben Goxhaj dhe vëllanë e tij Mondi Goxhaj.
Kompania rezulton të jetë e lidhur me ngarkesën e kontrolluar nga autoritetet në Portin e Durrësit, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nga hetimi nëse porositësit e ngarkesës kanë pasur dijeni për lëndën narkotike të fshehur në kontejner.
Emri i AMG Food nuk është i panjohur për autoritetet shqiptare. Kompania ishte përfshirë edhe në një tjetër çështje të bujshme në mars të vitit 2025, kur një ngarkesë me mish pule të importuar nga Brazili rezultoi e kontaminuar me bakterin Salmonella Typhimurium.
Në atë rast, autoritetet ushqimore bllokuan një sasi të mishit, ndërsa sipas raportimeve, një pjesë e produktit kishte dalë në treg. Hetimi u zgjerua edhe ndaj personave përgjegjës për importimin dhe shpërndarjen e ngarkesës.
Në prill 2025, Arben Goxha, i lidhur me AMG Food, u ndalua pasi ishte shpallur në kërkim në lidhje me çështjen e mishit të pulës me salmonelë. Ai dhe persona të tjerë u hetuan në kuadër të këtij rasti.
Tashmë, më shumë se një vit pas këtij episodi, kompania del sërish në vëmendje të autoriteteve. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një të dhënë zyrtare që lidh kompaninë me trafikimin e kokainës.
Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë pritet të përcaktojnë nëse porositësit e ngarkesës kishin dijeni për drogën e fshehur në kontejner.
/Shqip.com