Lajme

Ambasadori turk viziton Prekazin, nderon familjen Jashari

Ambasadori i Republikës Turqisë në Prishtinë, Tunç Angili dhe Rifat Jashari

Ambasadori i Republikës Turqisë në Prishtinë, Tunç Angili, ka vizituar sot Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e po ashtu edhe kullën, në të cilën është pritur për vizitë nga vëllai komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari.

Para pak ditësh u shënua 25-vjetori i rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Ambasadori Angili tha se ndodhet në Prekaz për të nderuar heroin kombëtar, Adem Jashari, si dhe 59 familjarët e tjerë që ranë më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Ai po ashtu është shprehur falënderues ndaj Kosovës për ndihmën e dhënë pas tërmetit, derisa shtoi se Turqia do të vazhdojë të përkrahë popullin e Kosovës.

“Më vjen mirë që sot jam këtu në Prekaz për të vizituar varrin e heroit të Kosovës, Adem Jasharit. Gjithashtu i jam mirënjohës Rifat Jasharit për mikpritjen. Kosova ka një vend shumë të veçantë në zemrat tona në Turqi, dhe pas tërmetit të 6 shkurtit, Kosova ishte një ndër vendet e para që i erdhi në ndihmë popullit turk dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë.

Që nga fillimi ne gjithmonë e kemi përkrahur pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojmë ta mbështesim. Unë jam këtu sepse dua të shoh me sytë e mi se si filloi kjo luftë për pavarësi, ishte një vend i ruajtur mirë, një vend i bukur. E falënderoj sërish Rifat Jasharin që më ka informuar edhe për ngjarjet e asaj kohe. Pra ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Kosovës”, tha Angili.

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari ka falënderuar ambasadorin e Turqisë në Kosovë për vizitën.

“Falënderoj ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Tunç Angili… dhe besoj se edhe më tutje do të jemi gjithmonë bashkë. Këtë e kanë dëshmuar, pasi është bërë edhe sheshi ‘Adem Jashari’ në Stamboll dhe shtatorja e Adem Jashari në Sivas të Turqisë dhe besoj se kjo lidhje ka me qenë denbabaden.

Falënderoj Turqinë dhe ju shprehi ngushëllime për gjitha ato nëna dhe motrave e vëllezërve që humbën më të dashurit e tyre nga tërmeti që ndodhi, e tmerroi botën dhe jo vetëm ata”, tha Rifat Jashari.

/Shqip.com