Lajme

Rohde: Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për shkak të targave

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se nuk ka kuptim që të tensionohet situata për shkak të targave.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka shkruar se është urgjente që të bëhen kompromise për një marrëveshje finale.

“Nevojitet urgjentisht vullneti politik për deeskalim dhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit”, ka shkruar Rohde.

Tutje ai e ka ndërlidhur situatën në veri të Kosovës, me luftën që po e zhvillon Rusia në Ukrainë.

“Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës, me viktima tashmë të panumërta”, ka theksuar Rohde.

Ambasadori gjerman ka qenë shumë i zëshëm javët e fundit, duke kundërshtuar veprimet e Qeverisë së Kosovës rreth vendimit për targat.

Ai ka bërë thirrje që të shtyhet afati për regjistrim dhe palët të ulen në negociata për të gjetur zgjidhjen më të mirë për dyja shtetet.

/Shqip.com