Lajme

Ambasadori i Gjermanisë reagon pas raportimit të ish-gjyqtarit të EULEX-it para Kuvendit të Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas raportimit të ish-kryetarit të Asambles së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, lidhur me pretendimet për keqpërdorimet e këtij misioni në Kosovë, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Twitter, Rohde, ka shprehur shqetësimin e tij se si Kuvendi i Kosovës i ka dhënë platformë Simmons për, siç thotë ai, kampanjën dezinformuese të tij.

Këtë reagim Rohde e bëri në postimin e EULEX-it, duke mbështetur reagimin e këtyre të fundit.

Madje, diplomati gjerman i quan përgënjeshtrime bindëse pretendimet e pabazuara të Simmons.

“Përgënjeshtrim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e pabazuara. Unë thjesht habitem pse Kuvendi i Kosovës ende i ofron ish-gjykatësit Simmons një platformë për ta vazhduar këtë fushatë të dezinformimit”, ka shkruar Rohde.

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, ka reaguar gjatë ditës së djeshme pas deklaratave të Simmons, i cili ka përmendur disa skandale që ka bërë ky mision ndër vite në vend.

EULEX vlerësoi se deklaratat e Simmons dje në Kuvend janë koleksion i të pavërtetave dhe hamendësimeve.

“Nëse prania e parregullsive ishte aq e qartë për të, atëherë pse ai nuk e kreu punën e tij si mbikëqyrës dhe pse nuk i lajmëroi menjëherë autoritetet e BE-së? Në vend që ta bënte atë, Simmons zyrtarisht raportoi pretendime për shkelje që përfshinin stafin e EULEX-it dhe EEAS-it më 2 shtator 2017, që është vetëm pasi në tetor 2016 kishin filluar disa procedura disiplinore kundër tij për pretendime për shkelje. Pas përfundimit të angazhimit të tij në EULEX, Simmons nuk shërbeu më si gjyqtarë në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

Këtij reagimi i është kundërpërgjigjur vetë Simmons, duke kërkuar që të bëjë një hetim të plotë publik, e më pas “t’ua lënë qytetarëve të Kosovës të gjykojë kush po e thotë të vërtetën”.

“EULEX-i vazhdimisht ka shtrembëruar të vërtetën dhe drejtësinë. I ftoj Lars-Gunnar Wigemark dhe EULEX-in në Kosovë të bashkëpunojnë për një hetim të plotë publik. T’i lëmë qytetarët e Kosovës ta gjykojnë se kush po e thotë të vërtetën”, ka shkruar ai. /Shqip.com