Lajme

Ambasadori gjerman: Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën rreth Manastirit të Deçanit është vonuar

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mbështetur deklaratën e shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, i cili ditë më parë tha se e konsideron të rëndësishëm implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kalimin e mbi 20 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.

Në një postim në Twitter, Rohde ka shkruar se zbatimi i vendimit të kësaj gjykate është vonuar shumë.

“E mbështes plotësisht deklaratën e Davenport – Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është vonuar shumë”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së të dhënë dy ditë më parë, Michael Davenport ka thënë se situata rreth Manastirit është e ndërlikuar dhe se interesat e Komunës po ashtu duhet të merren parasysh. Por, shtoi se, vendimet e Kushtetueses duhet të zbatohen.

Në vitin 2016 Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendimin, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë përreth tij, të cilat kontestohen nga Komuna e Deçanit. Kjo e fundit, nuk i ka regjistruar në kadastër këto prona si prona të Kishës./SHQIP.com