Lajme

Rohde i rekomandon Kosovës të angazhohet më shumë te vendet skeptike për liberalizmin e vizave

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

“Rekomandimi i ambasadorit ishte që të angazhohemi më shumë te vendet që janë skeptike” kështu tha Haki Abazi.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi është deklaruar për media pas përfundimit të takimit të këtij Komisioni, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Abazi tha se Gjermania është e interesuar që çështja e liberalizimit të vizave të përfundojë sa më shpejtë që është e mundur, ndërsa kanë pranuar rekomandime se vendi duhet të fokusohet te ato vende të Bashkimit Evropian që janë skeptike për këtë çështje.

“Liberalizimi i vizave është një ndër temat për të cilat diskutuam bashkë. Interesimi i Gjermanisë është që kjo të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian janë pro , ishte edhe rekomandimi i ambasadorit që të angazhohemi më shumë te vendet që janë skeptike ”.

Haki Abazi, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Abazi tha se zhvillime pozitive në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të ketë pas zgjedhjeve në Francë.

“Fatkeqësisht ndonjëherë proceset në Bashkimin Evropian varen edhe nga politikat dhe zhvillimet nacionale të anëtarëve të BE-së. Presim pa rënduar këtë aspektin e pritjes së gjatë që qytetarët e Kosovës e kanë pasur në lidhje me liberalizimin e vizave. Presim zhvillime pozitive për liberalizimin e vizave pas zgjedhjeve në Francë”, u shpreh ai.

Më tutje, Abazi tha se ambasadori i Gjermanisë ka kërkuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të jetë sa më konstruktiv.

“Çështja e dialogut me Serbinë ishte temë e diskutimit. Ambasadori kërkoi që ky dialog të bëhet në mënyrën më konstruktive të mundshme. Insistimi jonë ishte që ky dialog të mos përdoret për ta mbajtur peng integrimin e Kosovës, siç e ka mbajtur në të kaluarën. Interesimi jonë është që dialogu të mos ndikojë në aspektet tjera, pasi që Serbia e ka përdorur dialogun për ta prolonguar procesin e integrimit të Kosovës”, u shpreh ai para gazetarëve./Shqip.com