Lajme

Ambasadori gjerman e francez: Ka ftohje raportesh me BE-në, Kosova mos të ecë vetëm

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe ai i Francës, Olivier Guerot, thanë se ka ftohje raportesh mes Qeverisë së Kosovës dhe BE-së.

Ata deklaruan se këtë ia kanë thënë edhe kryeministrit Kurti, që nëse nuk dëgjon këshillat e miqve, atëherë ai është duke ecur vetëm.

Në intervistën e përbashkët të dhënë në emisionin “RTK Prime”, ambasadori gjerman deklaroi  se kancelari Scholz, presidenti Macron e kryeministrja e italiane, i kanë shkruar  Kurtit duke i kërkuar që t’i dëgjojë këshillat. Por ai tha se kjo nuk ka ndodhur.

“Nuk është mirë që të ecet vetëm. Që nga viti 1999, kemi qenë përkrah Kosovës dhe Gjermania i ka dhënë edhe një shtytje në Këshillin e Evropës. Si mund të ecë përpara Kosova nëse kemi ftohje raportesh, prandaj ato duhet  përafrohen sërish”.

Sipas tij, është e qartë se sot ka ftohje raportesh me Qeverinë e Kosovës. “Ne bëjmë kërkesa e ato nuk dëgjohen, e kjo nuk i ngroh raportet tona prandaj na duhet një burrështetas e jo një që flet për luftë gjithë kohën”, tha Rohde. 

Edhe ambasadori i Francës tha se Kosova duhet të jetë më praktike dhe konstruktive.

“Besoj që Qeveria e Kosovës do të mund  të na dëgjonte më shumë që të jetë me pak e vetmuar, kemi qenë miqtë më të mirë dhe besoj që do ta vazhdojmë të jemi”, tha ambasadori francez.

/Shqip.com