Lajme

Ambasadori francez në Kosovë: Është koha për të ushtruar përmbajtje dhe përgjegjësi

Lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, ka ardhur edhe reagimi nga ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot.

Përmes një postimi në Twitter, Guerot ka shkruar se tash është koha për të ushtruar përmbajte dhe përgjegjësi.

Tutje, ai shpërndau edhe deklaratën e fundit të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili i kërkoi Kosovës që menjëherë të fillojë me hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe shtyrjen e afatit për targat.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, sot gjatë ditës edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqje këtë mëngjes kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Gjatë ditës së sotme në pjesën veriore të vendit pritet të mbahet një protestë.

Kjo protestë vjen vetëm një ditë pasi që Lista Serbe njoftoi për largimin nga institucionet e Kosovës.

Protesta nis në ora 12:00 dhe pritet të mbahet para përmendores së “Car Llazrit”.

Kujtojmë po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, ndërsa përfaqësuesit tjerë të serbëve dhanë dorëheqje edhe nga pozita e deputetëve, kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.

Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme

/Shqip.com