Lajme

Ambasadori Britanik: Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott

Pas dështimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave ka ardhur reagimi edhe nga ana e ambasadorit britanik në Kosovë, Nicholas Abbot.

Abbot është shprehur i zhgënjyer për mos arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

“Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje. Situata aktuale paraqet rrezik për sigurinë dhe jetesën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe largon vëmendjen nga misioni i qeverisë për të përmirësuar jetën e tyre. Të gjitha palët duhet të shmangin veprimet që mund të çojnë në një përshkallëzim të tensionit ose të shkaktojnë kërcënime për sigurinë. Nevoja urgjente është të bëhet përparim në një marrëveshje normalizimi që do t’i bënte të panevojshme mosmarrëveshjet për çështje të tilla si targat” ka shkruar Abbot.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka dështuar të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Në një konferencë për media pas takimit, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka dhënë detaje për propozimin e BE-së për zgjidhjen e situatës.

Ai ka thënë se propozimi i vënë në tavolinë, kërkonte nga Kosova që ta suspendojë menjëherë vendimin për moslejimin e përdorimit të tabelave KM, ndërsa Serbisë që të mos lëshoj më tabela me akronimin KM.

Borrell ka thënë se propozimi u pranua nga presidenti serb Vuçiq, por u kundërshtua nga kryeministri kosovar, Albin Kurti.

Ai ka bërë thirrje që dy palët të angazhohen urgjentisht në moslejimin e përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.

“Unë kërkoj të dya palëve t’i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave”, tha Borrell.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas takimit me përfaqësuesit e BE-së dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili zgjati më shumë se shtatë orë, se nuk është arritur asnjë marrëveshje.

“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.

“Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë, Borrell. Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha presidenti serb.

Në Bruksel përfundoi takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, ndërsa nisi rreth orës 10:00.

/Shqip.com