Lajme

Ambasadori Berishaj raporton në Komisionin hetimor për energjinë, mohon akuzat

Ambasadori Martin Berishaj gjatë ditës së sotme ka dëshmuar në Komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike në Kosovë.

Ai ka mohour akuzat për një përfshirje të mundshme në një aferë korruptive.

Berishaj, ka thënë se e ka paditur portalin slloven që raporti se ai “mori 600 mijë euro nga kompania GEN”, ka qenë e lidhur me zgjedhjet në Slloveni.

Më tutje Ambasadori Berishaj ka thënë se nuk është marrë fare me atë lajm, të cilën e ka konsideruar si të pavërtetë.

“Ka qenë një prononcim i një portali, i cili ishte një ditë para zgjedhjeve në Slloveni. Qysh nga mosha 16 vjeçare kam qenë atje, dhe njihem me gjithë politikanët atje. Lajmin të cilën ma kanë montuar mua nuk e kam shikuar” ka thënë fillimisht Berisha.

Kryetari i këtij Komisioni, Driton Selmanaj ka parashtruar pyetje Berishaj lidhur me  kompanitë që Ambasadori  i ka në zotërim.

“A jeni drejtor në një kompani në Podgoricë, a jeni aksionar në firmën ‘Muloja’ në Kosovë. A keni bashkëpunim me GEN-in në Serbi”, pyeti Selmanaj.

“EM Consallting e kam themeluar në Mal të Zi dhe nuk funksionon që nga viti 2020, është mbyllur dhe nuk rezulton si ndërmarrje që qarkullon. Për firmën e dytë jo nuk jam. E kam shitur në vitin 2019”, tha ai, duke thënë se në ARBK është dashur ta largojë emrin e tij si pronar” ka thënë Berishaj.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, pyeti nëse ka pasur komunikim me krerët e shtetit dhe me ministra të kabinetit qeveritar. Ai e pyeti nëse 600 mijë eurot e përmendura në media, i ka dërguar edhe nëpër partitë politike.

Gjatë kësaj periudhe që ne po hetojmë, a keni pasur komunikim me ministren Artane Rizvanolli, me kryeministrin Kurti”, pyeti Tahiri.

“Jo nuk kam pasur. Të gjitha takimet që i bëj, janë të shkruara dhe të protokolluara, me gojë nuk ka pasur.Me Përgjegjësi morale dhe juridike e them, ato mjete nuk kanë përfunduar as te Albin Kurti, as te Memli Krasniqi e as te Ramush Haradinaj. Asnjë mjet, as në Slloveni e as në Kosovë”, tha Berisha.

Në fund Ambasador i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, ka kërkuar nga Komisioni Hetimor për Menaxhimin e Energjisë që mjetet e dedikuara për ardhjen e tij të dhurohen për një familje me nevojë.

/Shqip.com