Lajme

Ambasadorët e Britanisë dhe Italisë reagojnë ndaj vendimit të MINT

Klan Kosova

Pas reagimit të Ambasadës amerikane, asaj gjermane, por edhe të zyrës së BE-së në Kosovë nga misionet diplomatike, reagim erdhi edhe nga ambasada britanike për rastin e MINT-it kundër Klan Kosovës.

Ambasadori Nicholas Abbott tha se po e vëren shqetësimin e shoqërisë civile për këtë rast, ndërsa kërkoi nga institucionet që të mendojnë me shumë kujdes masat e mëtejme ndaj këtij rasti.

“Po e ndjek me vëmendje rastin e Klan Kosovës dhe vërej se vendimi për licencën e biznesit të saj është ende objekt ankimimi. Vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe kërkoj nga institucionet përkatëse që të mendojnë me shumë kujdes për çdo masë të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e mediave në Kosovë”, theksoi Abbott.

Njëjtë ka reaguar edhe Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga MINT-i, ku thanë se janë të shqetësuar me vendimin e qeverisë, të cilin e quajtën të papritur.

Ambasada italiane tha se së bashku me Bashkimin Evropian dhe me partnerët tjerë në Kosovë, po e monitorojnë nga afër rastin.

“Vendimet duhet të jenë rigoroze dhe ligjërisht të kenë bazë ankimore dhe nuk duhet të kërcënojnë lirinë e medias dhe informimit”, thuhet në reagim.

Reagime për rastin e Klan Kosovës pati edhe nga Ambasada Amerikane, ajo gjermane e nga zyra e BE-së në Kosovë.

/Shqip.com