Lajme

Ambasadorët Davenport dhe Kolly i shkojnë në vizitë kreut të ekzekutivit

Pamje nga takimi në Kryeministri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Shefin e  Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport dhe ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me të cilët ka biseduar për themelimin e Njësisë së përkthimit, harmonizimit dhe kontrollim gjuhësor në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kurti konfirmoi përkushtimin e Qeverisë ndaj themelimit të njësisë së përkthimit, njësi kjo e re që do të sigurojë kualitetin e përkthimeve në kuadër të Qeverisë, në të gjitha gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës.

“Përkthimi cilësor ndikon në qasje më të lehtë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Për të gjetur zgjidhjen më të mirë në shërbim të funksionalitetit të zyrës, OSBE ka prodhuar raport që do shqyrtohet nga grupi punues.

Lidhur me këtë, Kryeministri ka potencuar që grupi punues i udhëhequr nga Komisioneri për Gjuhë, Slavisa Mladenoviq, duhet të veprojë në bazë të legjislacionit në fuqi për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore, e duke marrë parasysh procesin e riorganizimit të brendshëm të Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Tutje, ambasadorët janë falënderuar për përkushtimin e tyre dhe bashkëpunimin cilësor në kuadër të themelimit të Njësisë për përkthim, harmonizimi dhe kontrollim gjuhësor.

/Shqip.com