Lajme

Ambasada e SHBA “zbarkon” te zyrat e Policisë së Shtetit, zbulohen porositë për Rrumbullakun

Përfaqësues të Ambasadës Amerikane kanë mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mëngjesin e kësaj të marte.

I ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA-së, në Shqipëri, David Wisner dhe pjesëtarë të ekipit të seksioneve ligjzbatuese në këtë ambasadë, kanë takuar drejtorin e Policisë, Muhamet Rrumbullaku.

Policia e Shtetit ka njoftuar se vizita kishte për qëllim çuarjen më tej të partneritetit dhe bashkëpunimit solid të deritanishëm, ndërmjet forcave të rendit të SHBA-së, Ambasadës së SHBA-së, në Shqipëri, dhe Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit.

Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, drejtori Rrumbullaku ka siguruar përfaqësuesit amerikanë se “Policia e Shtetit është partnere e besueshme e SHBA-së, si dhe se është maksimalisht e angazhuar për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë”.

Nga ana e tij, Wisner vlerësoi angazhimin e Policisë së Shtetit, për përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, si dhe për përpjekjen për një Shqipëri më të sigurtë.

Sikurse Wisner është shprehur me nota pozitive edhe sa i takon bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet forcave të rendit të SHBA-së, Ambasadës së SHBA-së, në Shqipëri, dhe Policisë së Shtetit, si dhe shprehën gatishmëri për ta intensifikuar më tej këtë bashkëpunim – bën me dije zyra e mediave pranë Policisë së Shtetit.

/Shqip.com