Lajme

Ambasada e SHBA-ve sqarohet për pëlqimin e deklaratës së Vuçiqit

Flamuri tek Ambasada SHBA-se

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka dalë me sqarim lidhur me pëlqimin që i ka bërë një lajmi në rrjetin social Twitter, në të cilin presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarrrësisë së Kosovës.

Ambasada ka deklaruar se ai lajm nuk është pëlqyer qëllimisht dhe se janë duke e shqyrtuar situatën për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.

“Llogaria zyrtare në Twitter e Ambasadës së SHBA-së nuk ka ‘pëlqyer’ qëllimisht asnjë postim në Twitter gjatë 24 orëve të fundit. Ne po shqyrtojmë situatën për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur. Siç u theksua më parë: kur kemi një pozicion për të artikuluar, ne e bëjmë këtë nëpërmjet deklaratave zyrtare – jo nga një ‘like’ e mediave sociale”, thuhet në deklaratë.

“Të jemi të qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt. Qëllimi ynë parësor është të mbështesim Kosovën pasi ajo zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet tutje në sqarim.

Të mërkurën profili në Twitter i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka pëlqyer një postim në të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës të mërkurën në mbrëmje. Një ditë më pas [e enjte], Ambasada e ka hequr pëlqimin.

/Shqip.com