Lajme

Ambasada e SHBA-së përkrahë qëndrimin e ambasadorit gjerman për aksionin e Policisë në Veri

Ambasada Amerikane në Kosovë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përkrahur qëndrimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, lidhur me situatën e krijuar sot në veriun e Mitrovicës pas aksionit të Policisë për kontrabandim me mallra, ku mbetën të lënduar 10 zyrtarë policorë.

Kjo ambasadë e ka ripostuar deklaratën e publikuar nga Rohde në llogarinë e tij në Twitter, ku i reagoi deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, teksa ky i fundit krahasoi situatën me “Natën e Kristaltë”.

Rohde tha se është i papranueshëm krahasimi i aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës me “Natën e Xhamave të Thyer”.

‘Ndaloni! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me “Natën e Kristaltë” është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. MbroniFaktet”, ka thënë Rohde.

Rakiq në reagimin e tij pas aksionit policor, tha se kjo çfarë ndodhi të mërkurën “është si nata e Kristaltë për ne”.

“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur vetëm ajrin të na e marrin, kjo ka qenë si Nata e Kristalit për ne, ky takim me Vuçiqit është më i rëndësishmi, është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”, ka thënë Rakiq, tha ai para takimit të thirrur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.

Goran Rakiq, kryetar i Listë Serbe

Çfarë është Nata e Kristaltë?

Më 7 Nëntor 1938, një djalosh i ri hebre qëlloi për vdekje diplomatin gjerman Ernst von Rath në Ambasadën Gjermane në Paris. Akti erdhi si pasojë e revoltimit të të riut si pasojë e torturave që kishte filluar të shfaqte regjimi nazizt ndaj popullatës hebre.

Ngjarja bëri bujë në shtypin ndërkombëtar dhe bota që nga ajo natë ishte në panik. Dyqanet filluan të mbuloheshin me grafite antisemite. Ministri gjerman Joseph Goebbles urdhëroi që lajmi për vrasjen e Rathit të ishte në të gjitha gazetat ditore gjermane.

Ishte nata e 9 Nëntorit të vitit 1938, kur nazistët gjermanë filluan terrorin ndaj hebrejve në Gjermani dhe Austri, duke përdorur si pretekst pikërisht këtë ngjarje.

Atë natë u dogjën më shumë se dyqind sinagoga, u përdhosën varrezat e hebrejve dhe u thyen gjithë dyqanet e tyre. Nga gjithë xhamat e thyer dhe të rënë nëpër tokë, që dukeshin si kristale në atë natë mizore 9 nëntori njihet në historinë moderne të njerëzimit si Nata e Kristaltë apo Nata e Thyerjes së Xhamave.

Kështu ishte fillimi i njërës ndër tragjeditë më të mëdha të epokës moderne që njeh bota. Atëherë kur mendohej se Evropa arriti nivelin e qytetërimit, pikërisht Evropa i serviri botës skena horror. /Shqip.com