Lajme

Ambasada e Gjermanisë redukton numrin e termineve për viza, shkak rritja e infeksioneve me COVID-19

Ilustrim.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se është reduktuar numri i termineve për aplikime për viza pune, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, Ambasada ka njoftuar se kjo ka ndodhur për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve me Coronavirus dhe variantit “Omicron”.

“Për shkak të rritjes së numrit të Covid-it dhe variantit Omikron, i cili po përhapet edhe në Kosovë, përkohësisht numri i termineve që vihen në dispozicion çdo ditë për aplikime për viza është dashur të reduktohet ndjeshëm”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, Ambasada bën të ditur se nuk mund të përjashtohet mundësia që terminet e rezervuara dhe të konfirmuara, të anulohen apo të shtyhen.

“Nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe terminet që janë rezervuar dhe konfirmuar tashmë mund të anulohen/shtyhen. Nëse e keni rezervuar një termin, ju lutemi kontrolloni rregullisht kutinë tuaj të postës elektronike”, përfundon njoftimi./SHQIP.com