Ambasada britanike mirëpret zgjedhjen e Yll Buleshkajt në krye të AKK-së
Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, ka mirëpritur zgjedhjen e Yll Buleshkajt në krye të Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Në reagimin e kësaj ambasade thuhet se Buleshkaj ishte kandidati më i mirë në renditjen e ekspertëve britanikë që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes.
“Ne mirëpresim vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Yll Buleshkajt si drejtor i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Buleshkaj ishte kandidati më i mirë në renditjen e ekspertëve britanikë që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes”.
“Ne mezi presim të punojmë me Agjencinë Kundër Korrupsionit për zbatimin e zotimeve kundër korrupsionit dhe udhërrëfyesit për të cilin është abonuar Kosova”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike në Twitter.
Yll Buleshkaj është zgjedhur Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit nga Kuvendi i Kosovës.
Ai ka marrë 62 vota, kështu duke “mposhtur” kundërkandidatin Visar Kransniqi, i cili mori vetëm dy vota.
Buleshkaj do të ketë mandat pesëvjeçar në krye të kësaj Agjencie.
Më parë, Yll Buleshkaj ka qenë drejtor ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Emri i tij mori vëmendjen e publikut pasi kjo zyrë pati rekomanduar që në zgjedhjet e shkurtit të lejohej certifikimi i kandidatëve që kanë probleme me ligjin.
Rekomandimi i tij nuk ishte marrë parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kishin vendosur që t’i largonin nga lista kandidatët që në tri vitet e fundit kanë pasur probleme me ligjin, duke përfshirë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Ky vendim i KQZ-së ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme./SHQIP.com