Lajme

Ambasada amerikane: Na shqetëson kundërshtimi i opozitës ndaj propozimit evropian

Ambasada-Amerikane-ne-Kosove

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Albin Kurti.

Sipas këtyre dy partive, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

E në lidhje me këtë ka ardhur edhe reagimi nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

Po ashtu është bërë e ditur se ShBA e ka bërë të qartë se mbështet Dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Reporteri.

“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE. Në veçanti, ne e mbështesim plotësisht propozimin e BE-së për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta çuar përpara këtë propozim kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian në Bruksel, të titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi”.

Një zyrtar i lartë i BE-së, i afërt me këto zhvillime, ka thënë se tekstit i mungon validiteti pa një aneks, të cilin pritet ta përgatisin palët para takimit të tyre të ardhshëm, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.

Ky fakt e bën pikën e 11-të të marrëveshjes, e cila thekson se “të dyja palët duhet të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, pjesën më të rëndësishme.

Plani për këtë udhërrëfyes, i cili përfshin kohën e zbatimit të marrëveshjes, ekziston, por ka ende punë për t’u bërë.

/Shqip.com