Lajme

Aliu: Hajnia ndalet por jo edhe projekti i autostradës për Pejë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Qeveria e Kosovës ka anuluar vendimin e datës 17 dhjetor 2018 për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë – Klinë – Zahaq.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ka thënë se projekti për ndërtimin e kësaj autostrade nuk ndalet, por “vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim”.

“Pra, është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim. Nuk është ndaluar projekti”.

“Po ashtu, në vitin që vjen, është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës, Pejë-Prishtinë dhe Klinë-Prizren”, ka shkruar Aliu në profilin e tij në Facebook.

Siç ka thënë ai, rruga Prizren-Tetovë nuk është konkurrente e rrugës Prishtinë-Pejë.

“Na duhen të dyja dhe do të bëhen të dyja, por pa vjedhje dhe keqpërdorime fondesh.Në emër të asfaltit nuk do të vjedhë më askush, dhe çdo vjedhje që evidentojmë edhe nga projektet e kaluara, do ta ndjekim me seriozitetin maksimal duke e dërguar çështjen në prokurori”.

Në fund, ka shtuar se “Kosova do të ketë njëkohësisht infrastrukturë moderne, dhe miradministrim të buxhetit për rrugët”./SHQIP.com